Saturday, September 28, 2013

UDHËTIM DREJT VETVETES NË “AROMË SHQIPËRIE”



Ekzotikja nuk është  e vetmja tërheqje ndaj vlerave që mund të zbulosh në udhëtim  tek  njerzit dhe vendet jashtë hartës. E parë përmes një syri tjetër, por duke vënë në veprim edhe tre shqisa tejet të rëndsishme e shpesh të fjetura si ajo e shijes, nuhatjes dhe prekjes në një kërcim tangoje si ajo e Al Paçinos  ia mbërrin të ndjesh më mirë parfumin e gruas, mëmës apo vajzës së bukur që është vetë Shqipëria.






Përgjatë një viti udhëtimesh të nisura më herët në vitin 2006 me ciklin e telereportazheve “Çelnaja” në Televizionin Shqiptar të mbështetur tek risitë e shtëpive shqiptare,  dhe të vijuar  në një format më të plotë e profesional në Albanian Screen TV  nën emrin “Aromë Shqipërie” ; udhëtimi pasurues njohu një përmasim edhe  më estetik e jetësor.



Harmonia në diversitet qe Filli lidhës  brenda një itinerari përshkrues jo drejtvizor  ndaj vendeve të një territori herë të largët e herë të afërt gjeografikisht; në të veçantat e  bashkive dhe komunave që shpesh rezultuan plot kundërti dhe ndryshime të thekshme por si pjesë e natyrshme e një tërësie mozaike.
Nga Berati në Leskovik mund të mbërrihet përmes një ure komunikimi si muzika qytetare dhe kujtesa ndjesore e Çelebiut para treqind vjetësh.


Në lagjen e Kurt Pashës në Mangalem të njohur përgjatë sundimit të “Sulejmanit të Madhërishëm” ndjeva si tingujt e grupit të Ashikëve duke udhëtuar nëpër bëmat e tyre nga rrëfenjat e inxhinier Pavli Shkarpës; po ashtu shijova dhe përsheshin  me kaposh deti apo ëmbëlsirën me mish qingji pranë ish “haremit” të rijetëzuar.

Në vendorigjinën e Konicës dhe Nolit,pranë malit të Melesinit u freskova nga uji  Çezmës së Rrëzës” ku të dashuruarit bëjnë pa zhurmë ritualin e  njohjes dhe kurorës në një ngrehinë sa kishë e xhami po aq edhe “faltore dashurie” . Guida e rajonit gazetari dhe kryebashkiaku pasionant  Fatmir Guda më prezantoi një tryezë të pasur disa kilometra larg  qytetit të Leskovikut  në pyllin e një Bio Ferme të quajtur “Sotira” ku kuptova nga realizuesit bashkshortët Toni dhe Nida, sesi mund të jetohet me kualitet edhe pranë  troftave të lumit, shtëpizave të drunjta, pyllit të lajthive dhe aromës së kullumbrive i veshur në stilin kauboj ose kauntri.
Për t’ u dëgjuar edhe pak “bluzin shqiptar”  jetësuar shekullin e shkuar edhe nga fenomeni i sazeve  të  jugut Hafize Leskoviku dhe familja e saj   e artistëve orkestrantë.  Në  kujtesën e studjuesit Bajram Lapi zëri i saj rrin si stoli femërore dhe rrezaton njësoj si kostumi fin e shumngjyrësh i gruas leskoviqare.                  

Rendja drejt të bukurës ishte filli i udhëtimit  në Razmën elitare. Pak Austri në lartësitë para alpine mu zbulua mes komikes dhe fantastikes në bisedën e ngrohtë me çiftin Aida dhe Shirazi Kastrati në një boulevard natyror vilash të evropianëve të parë modern – midis vilave  të verimit ngritur në vitet e mbretërisë shqiptare nga tregtarët e  famshëm shkodranë.Këtu ndjeva pohimin real të  asaj kulture të lartë qytetare për të cilën më pat treguar dhe pat ruajtur e ndriçuar në veprën e tij nga dritarja e arkivit të shtetit gjatë një jete plot të  papritura e flijime studjuesi  Dhimitër Antoni.
Edhe në temperatura mirazhesh mund të lahesh në shiun e verës; madje të rrethohesh nga një mjegull e beftë të cilën e përjetova si dekorin e avullt të një filmi intrigues apo klimë transilvanike. Ndryshe në  vendin e shëtitjeve, një praktikë e suksesshme për vizitorët nga dy bashkudhtarët ,  mund ta shohësh veten si një Nastradin që endet me maskën veneciane natën  në pyjet e Razmës për të rigjetur jo gomarin si mik besnik por ketrin e shpeshtë,  përshëndetës dhe ndjellamirë për eksplorimin e  shpellave të afërta.


Tradita e filtruar  në sitën e klasikes. Pallati Natyral  i realizuar nga simbioza e inxhinierit me shkrimtaren në piacën e fushës së sportistëve dikur; është projektuar me dhoma misterioze ku mund të takoje në formë imagjinare dhe aventure duke u ngjitur si  në katet e një kështjelle të magjepsur dhe jashtë kohës personazhet fantastike si Zanat, Kreshnikët apo E Bukura e Dheut.
Trokita në portën e Miss-it të fantazisë popullore por çuditshëm porta ishte thuajse e hapur pa ato shtatë çelsat e ndrymjes dhe në vend të saj preka vetëm imazhin e një pikture nudo të përfjetur në shtratin e Saj.  Kuptohet pjata e zgjedhur për sekretin e bukurisë mund të jetë proshuta e dhisë së  egër apo sallata e patateve razmane; tregues i një kuzhine të rafinuar si një simfoni e ngritur mbi ritmet folk të shijes.

“Ethet çaplineske të  arit”  më shoqëruan në itinerarin e  Fushë Krujës dhe Rubikut po në një tjetër kuptim ; tabelat e shënuara nga vlerat  njerëzore. Në fakt bashkë me  studjuesin Genc Hoti njohur edhe  si kërkues thesaresh, vura re në komunën e  Niklës jo vetëm gropat e hapura me metoda popullore për gjetjen e metalit diellor, por ndoqëm një rrugë të vjetër që  si degëzim i rrugës tregtare Egnatia ishte gjatë periudhës romake dhe otomane një autostradë e vërtetë dhe njihej si kufiri ndarës ndërmjet Veriut dhe Shqipërisë së Mesme; me stacione lidhëse dy urat doganore të  Abdyl Agës dhe fshatit Kucej.
Në fshatin Bilaj,në komunën e Bubqit si në një udhëtim në kohë u takova me dy personazhe historikë; nipin e Abaz Kupit, zotin Nderim  të mbijetuarin me këmishë ndaj disa diktaturave  si dhe bashkudhtaren e tij pinjollen e  ish ministrit kuisling  Xhafer Deva zonjën Lolita Kupi.

Shpikja nga dëshira për të ndihmuar jetën dhe  bashkombasit mendoj se qëndronte në realizimin brenda pronës së trashëguar nga babai i Nderimit, atdhetari Ibrahim Kupi, të realizonin një shtëpi pushimi në dobi të një tjetër thesari, atij të shëndetit.

Ideja e kthimit nga Shtetet e Bashkuara me ndërrimin e sistemit në Fushë Krujë dhe transformimit të një ish pusi nafte të hapur dikur nga rusët dhe të  lënë në mes si një burim ujërash termale ose “Llixhat e Bilajt”, funksioi më së miri.Pranë ngrohtësinë shëruese ose “çezme të energjisë së tokës” takova jo rastësisht dhe prindërit e shumë personazheve publikë të ekranit që në vend të dhomave të plazhit; kishin zgjedhur të  kuronin sëmundjet e moshës së tretë pa përjashtuar shumë gra e vajza që merrnin këto  shërbime qetuese  në një ofertë vërtetë humane.

Në Rubikun e vjetër ku pat kaluar dhestacionuar në antikitet  
Jul Çezari në ndjekje të Pompeut, gjatë lufës civile shpluhurosa me njeriun dhe drejtuesin e bashkisë Gjokë Vukaj ato gjurmë mbi shkëmb si kalaja e paeksploruar e  Judenjve dhe atë  sënduk gjysheje plot mirësi. Kërcitja  që ndihet është varfëria e panatyrshme që shoqëron banorët e talentuar dhe mikpritës mirditorë që ecin mbi një tokë  të florinjtë.

Pata fatin të  udhëtoj  “Rreth  Shqipërisë Mike, për pesëmbëdhjetë ditë (seri)” dhe të  befasohem nga nuri femëror, mahnitja e relievit si dhe mëmësia e  tokës së saj plot humus. Në këtë  pikë mbërritje ashtu si në majën e një kodre shkëmbore të ngjitur; tanimë  shoh sesi u shkela me shtresëzime qytetërimesh në kishën e Rubikut,  dhe të prek në ish observatorin e vrojtimit të qiellit shqiptar të Mirditës me teleskopin e ndjesive ; atë vetëdije  universale të përçuar nga etërit françeskanë e të nisur nga benediktinët si  e rizbulova në librin e francezit Moris Vjë "Sekretet e Ndërturesve".Po  në atë klas  edhe shumë shqiptarë  ditën t'i japin vlerë këtij trualli të begatë dhe të hedhin me dashuri vështrimin përtej epokës në të cilën gjalluan.



Andi, Bica
REVISTA “KLAN” Gusht, 2013.